Vllaznia e vajzave mësoi këtë të premte emrat e tri ekipeve rivale të raundit të parë të Ligës së Kampioneve për këtë edicion. Shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës, i vendosi shkodranet në grupit 7. Së bashku me Hajvalinë e Kosovës, Valurin e Islandës dhe Ankara Fomget të Turqisë.
Pas hedhjes së shortit është zhvilluar edhe mbledhja mes katër përfaqësuesve të ekipeve të Grupit 7 dhe UEFA-s. Për të vendosur edhe vendin se ku do të luhen katër ndeshjet e këtij grupi.
Duke qenë se nuk u gjet kompromisi për të caktuar vendin që do të organizojë këtë mini-turne, është hedhur një tjetër short nga UEFA.
Ku u përzgjodh vendi ynë për të mirëpritur ndeshjet e këtij grupi.
Të katra sfidat e grupit të shtatë do të luhen në Shqipëri: në datat 6 dhe 9 shtator. Një favor për Vllazninë, që synon sërish të përsërisë suksesin dhe të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve si edicionin e kaluar.
Në gjysmëfinale, vajzat kuqeblu do të përballen me Hajvalinë, ekipin kampion të Kosovës. Ndërsa ndeshja tjetër e grupit ka rezervuar përballjen mes kampioneve të Islandës dhe Turqisë.
Dy fitueset e dala nga këto dy ndeshje do të luajnë një finale me njëra-tjetrën dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë.