Sipas asaj që shkruan “Gazzetta dello Sport”, Milani ka marrë katër “po” nga dëshirat e tij në merkaton e kësaj vere. Bëhet fjalë për dakordësinë e Christian Pulisic, Yunus Musah, Tijjani Reijnders dhe Samuel Chukwueze për t’u veshur kuqezi.
Katër emra që kanë pranuar ofertat e Giorgio Furlani dhe Geoffrey Moncada. Të gjithë duan Milanin, të gjithë kanë një marrëveshje në parim për të kaluar në “San Siro”. Milani tani duhet të përballet me klubet respektive, që posedojnë kartonët e lojtarëve në fjalë: Chelsea, Valencia, Az Alkmar dhe Villarreal.
Projekti i ri i “Djallit” duket se bind; katër “po” dëshmojnë se sharmi i kuqezinjve është i gjallë. Nga ana tjetër, Charles De Ketelaere është padyshim një nga zhgënjimet e sezonit të kaluar te Milani.
“Playmakeri” i mbërritur te kuqezinjtë verën e kaluar për 35 milionë euro nuk shkëlqeu siç duhet në skuadrën e Stefano Piolit. Për momentin, klubi po vlerëson mundësitë e ndryshme dhe nuk përjashtohet mundësia që belgu të ndryshojë “ajrin” në merkaton e verës.
Klubi kuqezi, i gatshëm për të vlerësuar ofertat, dëshiron të mbledhë 28-30 milionë euro, duke pëlqyer shitjen e përhershme të tij. Siç raportohet nga edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, Atalanta, në vend të kësaj do të donte të diskutonte një marrëveshje huazimi, me të drejtën e blerjes.
Belgu tashmë ka nisur pushimet dhe për të mësuar më shumë duhet të presim javët në vijim, kur do t’i bashkohet skuadrës kuqezi..