Fikajo Tomori dhe Ruben Loftus-Çik janë miq të vjetër: të dy njihen që nga kohët në sektorin e të rinjve të Çelsit, klub ku me ekipin e moshës nën 19 vjeç ata fituan Ligën e Kampioneve për të rinj në 2015-ën dhe më pas u gjendën edhe në ekipin e parë.
Dy anglezët tani do të takohen në Milano dhe në negociatat që solli Loftus-Çikun te kuqezinjtë, ka marrë pjesë edhe Tomori.
Mbrojtësi jo vetëm që ka “sponsorizuar” mikun e tij në klub, duke dalë garant për cilësitë fizike dhe profesionale, por nga ana tjetër ka folur edhe me kolegun për ta joshur që të pranonte ofertën e Milanit, që shpenzoi 16 milionë euro për ta blerë, duke i siguruar edhe një rrogë prej 4 milionë eurosh në sezon për katër vitet në vijim.
Pas thuajse një jave dy anglezët do të jenë së bashku nën urdhrat e Piolit.