Njeriu që mundësoi afrimin e Silvinjos në stolin e Kombëtares, Altin Taho, ishte i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, ku në bisedë e sipër ka zbuluar disa prapaskena interesante.
“Kur i thamë në fillim për Shqipërinë, ai e njihte vetëm nga ana gjeografike dhe nuk dinte asgjë për futbollin tonë.
Ai na tha të prisnim pak dhe kur e takuam sërish na solli një listë me lojtarë që edhe ne i kishim humbur nga radari. Na la një shije shumë të mirë dhe na bindi se ai ishte zgjedhja e duhur”, u shpreh menaxheri fillimisht që më pas zbuloi edhe një prapaskenë të brazilianit me Nedim Bajramin:
“Kur Nedim Bajrami erdhi për herë të parë në Tiranë që të takonte Silvinjon, trajneri e ndali dhe bisedoi për 40 minuta me të. I tregoi video se si duhej të vepronte për të mbrojtur sa më mirë, pasi dihet që Bajrami çalon në këtë drejtim.
Silvinjo donte që ai të mbronte në mënyrën e duhur dhe nëse e vini re në dy ndeshjet e fundit, Shqipëria sa herë humbiste topin, e rikuperonte menjëherë”, tha Taho që gjithashtu tregoi se një alternativë për stolin ishte edhe Feliks Magat.