Nuk është sekret se Real Madridi është i gatshëm të bëjë gjithçka për Kylian Mbappen.
Transferimi i yllit francez është objektivi përfundimtar për Florentino Perez dhe presidenti i klubit me sa duket është i gatshëm për të realizuar qëllimin e tij.
Sipas “Marca”, Real Madridi mund të shesë Federico Valverden ose Aurelien Tchouamenin për të lehtësuar financiarisht transferimin e mundshëm të Mbappes.
Plani është që të fitohen të paktën 80 deri në 100 milionë euro nga shitja e njërit prej dy lojtarëve të lartpërmendur, në mënyrë që ato para të përdoren për blerjen e sulmuesit të Paris Saint-Germainit.
Kësisoj, Real Madridi është i gatshëm për të larguar njërin mesfushor, nëse vjen një ofertë e duhur.
Chelsea dhe Liverpooli janë përmendur si klube të interesuara për Valverden, kurse Arsenali dhe Manchester United për Tchouamenin.
Por, padyshim se gara për transferimin e njërit prej këtyre do të ishte më e madhe, pasi nuk vlerësohet se mund të ketë mungesë interesimi nga klubet e mëdha për ta.
Mbetet për t’u parë se cilin lojtar “Los Blancos” do zgjedhin të “sakrifikojnë” për transferimin e mundshëm të Mbappes.