Marseille ka nisur nga puna për sezonin e ri, me skuadrën që ka pësuar ndryshime krahasuar nga edicioni i kaluar duke nisur nga stoli.
Ndryshimet nisën me largimin e trajnerit Igor Tudor, me kroatin i cili nuk ia doli për të përmbushur objektivat dhe tani në krye të pankinës është Marcelino Garcia Toral.
Spanjolli i ka idetë e qarta për edicionin e ri, pasi presidenti Longoria i ka bërë me dije skuadrës, por edhe trajnerit se këtë vit kërkon trofe.
Marseille tashmë ka kthyer fokusin nga sulmi, kjo për faktin se e ardhmja e Alxis Sanches mbetet ende e pasigurtë.
Në këtë repart marsejezët disponojnë edhe një element të ri dhe premtues si Vitinha, por tani drejtuesit e nëntë herë kampionëve të Francës kanë nisur kontaktet me dy lojtarë, Folarin Balogun dhe Wissam Ben Yedder.
Ish-sulmuesi i Reims, i rikthyer te Arsenal pas huazimit është emri më i lakuar, kjo pasi londinezët i kanë bërë me dije lojtarit se nuk ka hapësira për të, por është një operacion i cili kushton disi, me kartonin e lojtarit që vlerësohet rreth 30 milionë euro.
Në krahun tjetër, alternativë mbetet edhe kapiteni i Monaco-s, Ben Yedder. Sulmuesi ka hyrë në vitin e fundit të kontratës dhe monegaskët nuk dëshirojnë ta humbasin me parametra zero dhe mund të dakordsohen edhe për 12 milionë euro, por problem i vetëm është mosha e lojtarit, me Ben Yedder i cili aktualisht është 32 vjeç.
Gjithsesi, përpos moshës lojtari ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me golin, ndonëse fokusi kryesor mbetet Balogun.