Skuadra e Manchester United ka gati listën e lojtarëve me të cilët do të zhvillojë një turne në Amerikë. Sipas “Sunday Mirror”, në këtë listë nuk bëjnë pjesë mbrojtësi Harry Maguire, mesfushorët Fred e Scott McTominay si dhe sulmuesi Jadon Sancho.
Trajneri Erik ten Hag ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me të katër këta futbollistë, duke u thënë se nuk janë pjesë e skuadrës për sezonin e ri. Për pasojë, ata do të lënë “djajtë e kuq” këtë verë edhe pse janë ende nën kontratë.
Për momentin nuk ka asgjë të qartë në lidhje me të ardhmen e tyre edhe pse klubi u ka thënë që të gjejnë një sistemim të ri. Manchester United kërkon që t’i shesë dhe jo t’i japë në formë huazimi, në mënyrë që të arkëtojë.
Problem për skuadrën e trajnerit Ten Hag është edhe porta, pasi ende nuk ka mbërritur zëvendësuesi i De Gea, që vendosi të largohej. “Djajtë e kuq” presin ende zyrtarizimin e transferimit të portierit Andre Onana nga Interi.