Gjatë intervistës së sotme për mediumin spanjoll “Mundo Deportivo”, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka folur edhe për Ousmane Dembelen.
Kreu i gjigantit katalunas thotë se çështja e yllit francez po bëhet gjithnjë e më e vështirë shkaku i menaxherëve të tij.
Barça kishte hasur në vështirësi edhe herën e kaluar kur ia kishte vazhduar kontratën atij.
“Dembele është një lojtar mjaft i dashur nga trajneri, nga stafi teknik dhe nga unë.
Jam një fans i madh i tij. Por, i ka disa menaxherë që janë të vështirë kur bëhet fjalë për të negociuar.
Tash jemi në bisedime dhe shpresojmë që çështja e vazhdimit të kontratës të zgjidhet.
Por, mendoj që nuk do të dihet deri në fund”, deklaroi Laporta.
Dembele ishte mjaft i rëndësishëm në suksesin e fundit të gjigantit katalunas, i cili u shpall kampion i Spanjës në sezonin 2022/23.