Entuziazmi

Futboll

Entuziazmi

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 15:46
Kristian Pulisi

Kristian Pulisic ka vuajtur mungesën e mundësive te Chelsea përpara se ai ti bashkohej Milanit këtë merkato vere me një transferim që kapi shifrën e 24.2 milionë eurove.

24-vjeçari amerikan iu bashkua “Bluve të Londrës” pas 4 sezonesh me Borusian e Dortmundit. Me londinezet shënoi 26 gola në 145 ndeshje dhe u shpall kampion Europe në vitin 2021.

Pasi shënoi 19 gola në 3 sezonet e para të Premier League-s, amerikani shënoi vetëm 1 herë në sezonin 2022-2023 dhe asnjë gol në 20 ndeshjet e fundit që nga 8 tetori i kaluar. Gjatë konferencës për shtyp në prezantimin e tij me Milanin, Pulisic u shpreh:

“Unë nuk i pata mundësitë që doja gjatë viteve të fundit, dhe nuk arrita dot në nivelin që synoja. Tani është një mundësi e artë për mua për t’ia rinisur nga e para. Do të kisha dashur të bëja më shumë te Chelsea, por tani është një sfidë e re për mua dhe jam shumë entuziast.”

Performanca më e bukur dhe më e paharrueshme për Pulisic me fanellën e Chelsea-t ishte ndeshja gjysmëfinale kundër Realit në Champions League, në vitin 2021. Atë vit “Blutë e Londrës” ngritën lart trofeun. Por këtë vit, në fund të një sezoni të dështuar, në të cilin u renditën të 12-t në Premier, Pulisic iu bashkua listës së gjatë të lojtarëve të cilët lanë ekipin.

Milani e përfundoi sezonin në vendin e katërt duke siguruar një vend ne Champions League sezonin e ardhshëm dhe për Pulisic kjo është një mundësi e artë për të treguar veten në Itali. Gjithashtu Pulisic kishte fjalë të mira edhe për trajnerin e kuqezinjve, Stefano Pioli:

“Ai më bëri të ndihem fiks siç ndihem tani, tregoi që dëshironte të më bënte pjesë të ekipit të tij dhe më tha që do të jem pjesë e rëndësishme e ekipit, këto ishin fjalët që doja të dëgjoja nga Pioli”.

Pulisic te Milani do të mbajë veshur fanellën me numrin 11, fanellë e trashëguar nga Zlatan Ibrahimovic. Amerikani e di peshën e kësaj fanelle, pasi është mbajtur nga një ikonë e klubit, siç ishte suedezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat