Merkato në dalje te Dinamo. 18 herë kampionët e Shqipërisë, kanë ndërprerë bashkëpunimin me 28-vjeçarin Eche Dickson Amos Idakwo.
Qendërmbrojtësi nigerian ishte pjesë e skuadrës kryeqytetase në sezonin e fundit. Ai zhvilloi 21 ndeshje në Kategorinë e Parë me Dinamon. Dhe shënoi një gol.
“FC Dinamo njofton se ka arritur marrëveshjen për mbylljen e bashkëpunimit me mbrojtësin Eche Dickson Amos Idakwo.
Klubi blu e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë në sezonin e kaluar me fanellën dinamovite dhe i uron suksese në vazhdimësi”, lexohet në komunikatën zyrtare të Dinamos.
Lojtari afrikan ka luajtur më parë në Shqipëri edhe me skuadrat e Besës dhe Erzenit përpara se të transferohej te Dinamo.
Blutë e rikthyer në Superiore, kanë siguruar 3 përforcime deri tani. Rustem Hoxha, Luis Kaçorri dhe Jocelin Behiratche janë afrimet tek ekipi i Dritan Mehmetit.
Ndërkohë që te Dinamo është rikthyer edhe Albion Marku. Mbrojtësi i djathtë ishte i huazuar te Teuta në edicionin e fundit.