Akordi ishte arritur prej ditësh, ndërkohë që sot ka ardhur edhe zyrtarizimi. Declan Rice është futbollisti më i ri i Arsenalit. Nënkampionët e Anglisë bënë të vetin kapitenin e West Ham për shumën rekord 105 milion paund.
Me mesfushorin “shkatërrues” që shndërrohet në investimin më të madh të klubit dhe lojtarin e dytë më të shtrenjtë në historinë e Premier League. Pas argjentinasit Enzo Fernandez, për kartonin e të cilit Chelsea pagoi 106.8 milion paund te Benfica.
24-vjeçari zbarkon në “Emirates” me misionin për të ndihmuar skuadrën e Mikel Artetës në fitimin e titullit kampion.
Që klubit dhe tifozëve të Arsenalit u mungon prej vitit 2004, kur “armata” e pathyeshme dhe spektakolare e Arsene Wenger dominonte rivalët dhe fitonte trofeun duke mos regjistruar asnjë humbje gjatë kampionatit.
“Jemi të lumtur që Declan bashkohet me ne. Ai është një futbollist me aftësi të jashtëzakonshme, i cili prej kohësh performon në nivele të larta në Premier League dhe me kombëtaren angleze.
Declan i sjell kualitet të madh klubit tonë dhe ka potencialin për të qenë shumë i suksesshëm këtu.
Ai ka një përvojë të madhe, edhe pse është vetëm 24 vjeç. Jemi shumë të gëzuar”, deklaroi trajneri Mikel Arteta.