Marvin Çuni është bërë protagonist që në ndeshjen e parë të Frosinones në fazën përgatitore.
Sulmuesi shqiptar, i cili u transferua në radhët e klubit të Serisë A vetëm pak ditë më parë nga futbolli gjerman, ka treguar se do të jetë një element për t’u patur në vëmendje në muajt në vijim.
Çuni, i cili ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të kombëtares shqiptare, por më pas u la në harresë nga FSHF dhe kombëtaret U21 dhe A, ka luajtur në pjesën e dytë të ndeshjes që Frosinone luajti kundër Mondragone.
Në minutën e 53-të të sfidës, ai gjeti rrjetë pas një skeme në goditje dënimi, ndërsa në minutën e 79-të realizoi dygolëshin personal të tij duke përfituar nga një pasim i gabuar mbrapa i një mbrojtësi.
Vetëm 9 minuta më vonë, ai dha asistin për Ojono që tundi rrjetën, duke thelluar edhe më shumë rezultatin e sfidës që u mbyll me shifrat 7-0 për Frosinonen.