Asiste për Arbnor Muçollin dhe Loret Sadikun në Suedi, dhe për Adrion Pajazitin në Norvegji. Muçolli u transferua nëntë ditë më parë nga Vejle (Danimarkë) te suedezët e Goteborgut.
Sot ka gjetur asistin e parë me skuadrën e njohur suedeze, që e mbylli në barazim 1-1 duelin në transfertë përballë Elfsborgut.
23-vjeçari, i cili vitin e kaluar debutoi me kombëtaren e Shqipërisë, insistoi fort, rikuperoi një top në minutën e 29-të dhe pasoi për Adam Carlen.
I cili kaloi në avantazh skuadrën mike. Asist edhe për Loret Sadikun, mbrojtësin që u ftua nga Panucci në Kombëtare. Por refuzoi aktivizimin me kuqezinjtë.
31-vjeçari nga Prishtina, dhuroi pasimin për golin e tretë në suksesin 3-1 të Hammarby kundër Kalmarit.
Adrion Pajaziti, talenti 20-vjeçari i Shqipërisë U21, është nën pronësi të Fulhamit. Prej shkurtit është huazuar në elitën e futbollit norvegjez te Haugesund.
Mesfushori dhuroi pasimin e golit të Haugesund në minutën e tretë, në transfertën ndaj Bodo/Glimt. Gjithsesi, vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë, duke fituar 2-1.