Manchester United po punon me qetësi në merkaton e verës, teksa deri më tani ka transferuar vetëm Mason Mount. Por, “Djajtë e Kuq” janë vetëm një hap larg sigurimit të firmës me Andre Onanën.
Ndërkohë që negociatat me “gardianin” e portës po shkojnë drejt fundit për Erik ten Hag ka dalë një opsion mjaft i volitshëm për repartin e mbrojtjes.
David Alaba është emri që tekniku holandez kërkon për prapavijën e United, në mënyrë që të rrisë konkurrencën për Lisandro Martinez dhe Raphael Varane. Të cilët performuan në mënyrë të shkëlqyer në sezonin e kaluar.
Austriaku vlerësohet 40 milionë euro nga transfermarkt dhe pas dy sezonesh mund të kërkojë largimin nga Real Madridi. 31-vjeçari u bë pjesë e madrilenëve në vitin 2021, kur iu bashkua klubit merengues me parametra zero nga Bayern Munchen.
Pavarësisht startit të mirë të aventurës në Madrid, në sezonin e fundit Alaba nuk ishte parësor në planet e Carlo Ancelottit. Pasi nga 39 ndeshje që luajti në total, vetëm në 21 prej tyre u aktivizua si titullar.
Raportime të ndryshme nga Spanja e krahasojnë rastin e Alabës me të Casemiros në verën e kaluar, ku transferimi erdhi nga asgjëja. Dhe pa u shoqëruar me vëmendjen më të madhe mediatike.
Zërat që e lidhin Alabën me një kalim tek United po përforcohen në orët e fundit, me mbrojtësin austriak që është i gatshëm për të dëgjuar propozimin e Djajve të Kuq.
Që ka gati një propozim tundues për “xholin” e prapavijës, të cilin e pret një pagë prej 376 mijë paundësh në javë.