Tifozët zikaltër protestë para zyrave për Cuadrado, por dikush nga Inter i ndal

Futboll

Tifozët zikaltër protestë para zyrave për Cuadrado, por dikush nga Inter i ndal

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 08:26
Tifozët zikaltër

Nuk janë vetëm tifozët e Juventusit që nuk duan një afrim të mundshëm të Lukakut.

Edhe ata të Interit, duket se nuk e presin krahëhapur Cuadradon, i cili vjen nga një eksperiencë e gjatë te bardhezinjtë.

Në rrjetet sociale protestat kanë qenë të vazhdueshme, duke kujtuar përplasjet e shumta të kolumbianit me lojtarët e Interit, provokimet dhe penalltitë e dyshimta të tij që e kanë bërë gjithmonë një figurë të urryer për popullin zikaltër.

Një grup tifozësh shkoi deri aty sa u mblodh para zyrave të klubit sot, duke qenë të gjithë të gatshëm të hapnin një parullë të cilën më pas vendosën që të mos e shpalosnin.

Shkak u bë takimi i këtyre tifozëve me përgjegjësin e marrëdhënieve me publikun të Interit, i cili doli dhe i takoi në rrugë, duke shuar pa filluar mirë këtë protestë që padyshim nuk do të sillte asgjë të dobishme për zikaltrit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat