Intuita e presidentit David Beckham për nënshkrimin e Leo Messit si një transferim i lirë nga PSG është “grushti” më i madh ndonjëherë për “Major League Soccer” (MLS).
Përgjigja ishte e menjëhershme, “Messimania” tashmë ka shpërthyer.
Një ngjarje e jashtëzakonshme në media po kthehet edhe debutimi i argjentinasit në kampionatin amerikan. Kostoja e biletave është pothuajse e paarritshme për shumicën e tifozëve të klubit amerikan: disa kanë paguar 110.000 dollarë për të parë, të premten në mbrëmje, debutimin e yllit argjentinas kundër ekipit meksikan Cruz Azul, në raundin e parë të Kupës së Ligës.
Çmimi mesatar i biletës për ndeshjen hapëse të së premtes është 487 dollarë.
Por një studim i “CNN Business” në uebsajtin e shitjes së biletave “Vivid Seats” zbuloi se disa fansa shpenzuan një pagë mesatare për vetëm një biletë. Gazeta britanike “The Sun” u argëtua duke krahasuar çmimin e një bilete për ndeshjen inauguruese të Messit me mallra të tjera për të blerë.
Me të njëjtat para, mund të blihet një biletë e hapur për një lundrim nëntë-mujor, ose një shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar midis Middlesbrough dhe Sunderland, ose një apartament me pamje mahnitëse mbi gjirin në Morecambe. Mes blerjeve të ndryshme, me çmimin e biletës së ndeshjes, ka edhe mallra luksi si Rolex me vlerë të mesme, ose BMW M4 Convertible, ose abonim njëvjeçar për të pasur siguri private.