Lionel Messi nuk ishte i lumtur në Paris, ashtu siç nuk ishte as familja e tij, gjatë dy vjetësh qëndrimi në Francë.
Për këtë siguron braziliani Neymar, i cili thotë se e dinte më herët që ylli argjentinas do të largohej nga Paris Saint-Germaini.
“E kam pyetur. Në javët e fundit kisha dyshime dhe ai ma konfirmoi. Messi ka fituar gjithçka, por familja e tij nuk kaloi mirë në dy vjetët e fundit në Paris. E kuptoj, tash ka shkuar në një vend ku do të pritet mirë.
Do ta jetojë një jetë komplet ndryshe dhe familja e tij do të ndihet mjaft mirë në Miami.
Ishte një zgjedhje e mirë.
I kemi kaluar dy vjet të vështirë së bashku”, u shpreh ylli brazilian në intervistën e lëshuar në ‘streamer’ brazilian Casimiro.
Ai foli për eksperiencën në PSG, i cili nuk ia arriti ende ta fitojë Ligën e Kampionëve.
“E kishim një skuadër të fortë, Messi, Mbappe dhe unë jemi më të mirët në botë, këtë e dimë, por nuk ia dolëm.
Dëshironim të fitonim gjithçka, por futbolli nuk është si një recetë e tortës”, vazhdoi ai.
Sa i përket së ardhmes, Neymar thotë se shpreson të qëndrojë në Paris, por që në fund nuk është gjithçka në dorën e tij të vendos.