Mirupafshim dhe jo lamtumirë. Dimitri Payet e ka mbyllur me Marseille, por është i sigurt se do të kthehet sërish një ditë në “Velodrome”.
Mesfushori ofensiv, i njohur për golat e bukur që shënon, u shfaq përkrah presidentit të klubit më të madh francez në prononcimin për shtypin, aty ku deklaroi:
“Dua të vazhdoj të luaj futboll. Sezoni i fundit ishte i vështirë për mua, pasi kam luajtur shumë pak
. E di që do e kem të vështirë, por unë dua të vazhdoj të luaj.
Dua të rigjej kënaqësinë e të luajturit futboll. Siç e tha edhe presidenti: kemi pasur një raport të sinqertë me njëri-tjetrin.
Biseduam shumë me njëri-tjetrin përpara nisjes së fazës përgatitore. Presidenti u tregua i ndershëm me mua.
Diskutuam edhe për fundin e karrierës sime. Sigurisht që do të rikthehem te Marseille pasi të jem tërhequr”, u shpreh 36-vjeçari francez.
Payet kaloi 8 sezone në dy aventurat me Marseille, ndërkohë që ka veshur 38 herë fanellën e kombëtares së Francës (8 gola).