Manchester United është shumë pranë një marrëveshjeje me Fiorentinën për shërbimet e mesfushorit Sofyan Amrabat. “Djajtë e Kuq” e kërkuan lojtarin nga Maroku edhe në merkaton e janarit, mirëpo në atë periudhë italianët rezistuan ndaj ofertës.
Këtë herë duket se “vjollcët” nuk mund të mbajnë Amrabat duke qenë se edhe vetë vullneti i 26-vjeçarit është të shijojë një eksperiencë ndryshe nga Serie A. Sipas mediave italiane, pritet që dy klubet të arrijnë një marrëveshje duke nisur nga një bazë prej 22 milionë paund dhe më pas të përfshihen edhe bonuse të ndryshme.
Kujtojmë se Amrabat ishte një nga yjet e Kupës së Botës duke u shndërruar në “busullën” e Marokut me kombëtaren afrikane që mbërriti deri në gjysmëfinale për t’u eliminuar vetëm nga Franca.
Madje, për mesfushorin pati një interes konkret edhe nga Barcelona, megjithatë në fund është United që do t’i gëzohet shërbimeve të Amrabat teksa trajneri Erik ten Hag i shton edhe më shumë muskuj mesfushës së “Djajve të Kuq”.
Në rast se gjithçka mbyllet me sukses, atëherë Amrabat do të shndërrohej në përforcimin e tretë të United në këtë verë pas Mason Mount dhe Andre Onanas.