Xhud Bellingam ishte një nga protagonistët e mëdhenj të ndeshjes së parë miqësore të Madridit në këtë fazë përgatitore.
Mesfushori anglez, nënshkrimi i verës, luajti minutat e para si lojtar i “los blancos”-ve kundër Milanit dhe la një përshtypje të mirë në debutimin e tij.
Ish-lojtari i Dortmundit e filloi si titullar dhe luajti pak më shumë se një orë para se të zëvendësohej nga lojtari i skuadrës së të rinjve Niko Paz.
Bellingam tregoi një pjesë të repertorit të tij teknik me kombinime të mira si mesfushor dhe gjithashtu dëshmoi forcën e tij fizike. Karlo Ançeloti nuk hezitoi të vlerësojë paraqitjen e tij pas ndeshjes duke thënë se anglezi është i ndryshëm dhe i sjell më shumë cilësi skuadrës madrilene. Vetë futbollisti ka festuar debutimin e tij me një mesazh në rrjetet e tij sociale.
“Më pëlqyen minutat e mia të para si lojtar i Real Madridit. Ne do të vazhdojmë të punojmë akoma dhe më fort për të ardhmen që ndërtojmë.
Faleminderit shumë për dashurinë që të gjithë treguat ndaj meje”, ka shkruar anglezi në llogarinë e tij në “Instagram”.