Pas protestave të tifozëve për merkaton e dobët, klubi turk i Besiktas po lëviz me shpejtësi për t’u përforcuar me emra cilësorë e me eksperiencë.
Gjigantët nga Stambolli janë vetëm një hap larg zyrtarizimit të sulmuesit kroat Ante Rebiç, kartoni i të cilit do të kushtojë rreth 2 milionë euro.
Palët kanë arritur marrëveshjen dhe pritet që Rebiç të fluturojë drejt Stambollit të dielën, për të kryer testet mjekësore e hedhur firmën mbi kontratë.
Por nuk përfundon me kaq, pasi Besiktas ka nisur diskutimet me Milanin edhe për Junior Mesias, sulmues anësor që nuk ka bindur te kuqezinjtë dhe pritet të largohet.
Edhe për brazilianin kuqezinjtë janë gati të heqin dorë për një shifër prej 6-7 mln eurosh, shumë kjo e përballueshme nga arkat e klubit nga Stambolli.
Besiktas mposhti Tiranën 3-1 mbrëmjen e të enjtes në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Conference League, teksa më 3 gusht do të zbarkojë në “Air Albania” për sfidën e kthimit.