Mediat franceze raportojnë se po përgatitet një transferim spektakular në kuadër të ofensivës së PSG-së kundër Barcelonës.
PSG po fokusohet në dy lojtarë të Barçës. I pari është anësori Ousmane Dembele dhe çështjen e tij duhet ta zgjidhë deri të hënën, pasi francezi ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë euro deri në fund të muajit. Pas kësaj periudhe, shuma e dëmshpërblimit do të rritet me shpejtësi.
“Dembele është shumë afër kalimit te PSG. Negociatat janë në një fazë të avancuar. 26-vjeçari ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë euro që skadon më 31 korrik. Pas kësaj rritet në 100 milionë euro”, njoftoi RMC Sport.
Ky burim tregon se PSG dëshiron të shohë një tjetër lojtar të Barcelonës në radhët e tyre.
“PSG ka nisur një operacion për të blerë Pedrin. Luis Enrique i tha drejtuesve të klubit që të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta sjellë atë. Pedri nuk e hodhi poshtë mundësinë e transferimit në Paris. Përveç kësaj, ai do të dëshironte të punonte sërish me trajnerin me të cilin debutoi në kombëtare. Ashtu si në rastin e Dembeles, edhe këtu, PSG duhet të reagojë shpejt, sepse edhe Pedri ka një klauzolë më të vogël blerjeje. Deri më 31 korrik ai është në dispozicion për 110 milionë euro”, shkruan tutje RMC Sport.
Luis Enrique ka veçuar Pedrin si zëvendësuesin perfekt të Marco Verrattit që po largohet për në Arabinë Saudite. Nëse PSG ofron 110 milionë euro për Pedrin, Barcelona duhet ta lejojë atë të negociojë me parisienët.
Megjithatë mundësia e largimin e tij ka tronditur tifozët e Barcelonës, pasi Pedri, 20 vjeç, është një simbol i Barçës së re, i destinuar të jetë lider për dekadën e ardhshme. Barcelona e solli atë tre vjet më parë nga Las Palmas për 17.5 milionë euro. Që atëherë, mesfushori i ri është bërë një lojtar i domosdoshëm për Barcelonën me 109 paraqitje dhe 16 gola dhe titullar në Kombëtaren e Spanjës, për të cilën luajti 18 herë.