E ardhmja e Cikalleshit duket larg Turqisë

Futboll

E ardhmja e Cikalleshit duket larg Turqisë

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 13:51
Robert Lewandowski e Sokol Cikalleshi

Pasi u kthye nga huazimi arab njëvjeçar, Sokol Cikalleshi është duke zhvilluar fazën përgatitore me Koniasporin, klubi i Superligës turke që sulmuesi i Kombëtares shqiptare është nën kontratë edhe për një vit.

Me një të ardhme ende të paqartë për sezonin e ri, emri i Cikalleshit ka dalë në kampionatin e Iranit. Zërat janë se sulmuesi kavajas është në bisedime me skuadrën e Persepolisit.

Sipas mediave vendëse, kjo skuadër do të jetë destinacioni i Cikalleshit për sezonin e ri. Indicie është bërë fakti që sulmuesi ka ndjekur në “Instagram” faqen zyrtare të Persepolisit, klubit 15 herë kampion në Iran dhe kjo ka shtuar dyshimet se ai do të jetë goditja e verës për këtë ekip.

Një ofertë e parezistueshme ndaj Koniasporit, mund të bëjë që Cikalleshin ta shohim në një tjetër kampionat këtë vit. 33- vjeçari është një pikë e rëndësishme në sulmin e Kombëtares dhe pritet të jetë pika mbështetëse në ndeshjet e shtatorit, ndaj Çekisë dhe Polonisë.

REI MANAJ – Rei Manaj është pa skuadër që nga shkurti i këtij viti, pasi Uatfordi vendosi t’i ndërpriste kontratën. Prej kohësh sulmuesi shqiptar është në kërkim të një skuadre dhe duket se oferta e parë për të mund të vijë përtej oqeanit.

Siç bëjnë me dije mediat amerikane, klubi që interesohet për shërbimet e 26-vjeçarit është pikërisht LA Galaksi.

Ato theksojnë se trajneri Greg Vanej i ka vënë syrin Manajt, të cilin e shikon në planet e tij për ta bërë yllin e ri të skuadrës nga Los Anxhelos. Kujtojmë që për Galaksi kanë luajtur dhe emra të mëdhenj të futbollit europian, si Dejvid Bekham, Stiven Xherrard dhe Zllatan Ibrahimoviç.

Ndërkohë, këtë sezon në kampionatin amerikan kanë mbërritur lojtarë si Mesi, Buskets, Zhordi Alba apo edhe Insinje dhe Bernandeski më parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat