Pas dy sezonesh pozitive me fanellën e Egnatias, mbrojtësi 22-vjeçar Alessandro Kacbufi pritet të ndërrojë ambient, por duke mbetur sërish në Kategorinë Superiore.
Futbollisti është në negociata me klubin e Erzenit, që siguroi jo pa vështirësi qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar dhe po kërkon të përforcojë grupin për sezonin e ri.
Kaçbufi ishte pjesë e Egnatias edhe për ndeshjet e Europës, por nuk ka rinovuar me klubin nga Rrogozhina, teksa tri ditë më parë njoftoi edhe divorcin me ta.
“Përshëndetje. Nga sot nuk jam më pjesë e Egnatias. Falënderoj klubin, stafin, tifozët dhe të gjithë shokët e skuadrës për mbështetjen”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Futbollisti 22-vjeçar luan si qendërmbrojtës dhe sezonin e kaluar luajti plot 36 ndeshje me fanellën e Egnatias, që ia doli të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori.