“Kessie e di saktësisht se cila është situata e tij”. Fjalët që Xavi, trajneri i Barcelonës, i dedikoi Franck Kessie, direkt nga SHBA-ja, pas fitores 1-0 në miqësoren ndaj Milanit, janë të pakta dhe të ftohta. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk ka gjetur “shëlbim” me blaugranët, ku u transferua verën e kaluar.
Ai konsiderohet si zgjedhje e dytë, gjë të cilën klubi katalanas po përpiqet t’ia bëjë ta kuptojë në çdo mënyrë. Gjithashtu, për të bindur ish-lojtarin e Milanit për t’i thënë lamtumirë Spanjës, po i afrohen edhe oferta të majme nga Arabia Saudite.
Kessie synon lart, dëshiron të qëndrojë në nivelet më të larta. Një mesazh i qartë filtron nga agjenti i tij: në radhë të parë, në kokën e 26-vjeçarit, në rast të lamtumirës me Barcelonën, është Premier League. Jo Juventusi, i cili gjithashtu e vendosi të lindurin e vitit 1996 në krye të listës së dëshirave për mesfushën.
Allegri e dëshiron, por do të jetë në dorën e Giuntolit ta bindë. Mision jo i lehtë, duke qenë se Tottenham mund t’i hedhë lehtësisht në “pjatë” 15 milionë eurot e kërkuara nga iberikët.
Nga ana tjetër, “Zonja e Vjetër” do të preferonte të mos shkonte përtej një huazimi me të drejtë shlyerjeje, gati për t’u bërë detyrim me paraqitjen e disa kushteve.
Megjithatë, Barcelona nuk i ka mbyllur dyert për piemontezët. Vullneti i Kessie do të jetë vendimtar dhe Juve e di këtë. Bardhezinjtë duhet të punojnë në këtë aspekt, duke shpresuar gjithmonë që të mos hyjë në lojë edhe Liverpool-i, ende duke kërkuar një mesfushor.
Juventusi është në garë me kohën, gjithashtu.
Më 8 gusht është trofeu “Gamper” në Katalonjë, me Barcelonën dhe Tottenham si protagonistë. Një mundësi joshëse për “Spurs”, prandaj Giuntoli duhet të punojë paraprakisht.