Përplasjet e tifo-grupeve pas Tirana-Besiktas, Policia procedon penalisht 14 persona

Futboll

Përplasjet e tifo-grupeve pas Tirana-Besiktas, Policia procedon penalisht 14 persona

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 15:13
Pamje nga incidenti

Përballja e mbrëmjes të së enjtes, mes “bardhebluve” të Tiranës e “shqiponjave” turke të Besiktas, nuk kaloi pa incidente e trazira, të cilat filluan që në tribunat e “Air Albania”, ku tifozët turq filluan të hidhnin sende të forta drejt tifozerisë “bardheblu”.

Mirëpo, nuk ka mbaruar me kaq, pasi trazirat e përplasjet mes tifo-grupeve kanë vazhduar dhe pas daljes nga stadiumi e për këtë arsye, Policia ka proceduar penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadave, ku nga këto 14, vetëm 3 ishin tifozë të Tiranës, 10 të tjerët banues në Turqi dhe 1 banues në Gjermani. 

"Prishën qetësinë publike duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, si dhe dëmtuan 1 automjet, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, procedohen penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadrave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:

-T. K., 30 vjeç, H. A., 30 vjeç, Y. T., 26 vjeç, F. K., 25 vjeç, V. A., 25 vjeç, T. K., 25 vjeç, A. A., 34 vjeç, O. S., 25 vjeç, A. U., 27 vjeç, S. O., 28 vjeç, të gjithë banues në Turqi;

– C. K., 37 vjeç, banues në Gjermani;

– I. P., 22 vjeç, si dhe për dy shtetas të mitur 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, ditën e djeshme, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në rrugën “Abdi Toptani”. Gjatë konfliktit mes këtyre shtetasve, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shtetasit T. A., 28 vjeç, dhe V. M., 47 vjeç.

Gjithashtu, gjatë konfliktit ndërmjet tyre, është dëmtuar 1 automjet i parkuar në parkingun e një hoteli.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale", njofton policia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat