Dështimi për të firmosur me sulmuesin Gianluca Scamacca ka detyruar drejtuesit e Interit të rikthehen dhe një herë te pista Balogun, sulmuesi amerikan që nuk bën më pjesë në planet e Arsenalit.
Megjithatë topçinjtë kërkojnë 50 milionë euro për sulmuesin, ndërsa Interi e ka bërë të qartë se nuk mund të shkojë përtej 30 milionë eurove menjëherë dhe 5 të tjera në formë bonusesh.
Ausilio ka telefonuar mbrëmjen e të premtes ndërmjetësuesit për t’u bërë të ditur se Interi është gati që t’i lërë Arsenalit edhe 20% të vlerës së kartonit në rast rishitjeje, në mënyrë që të mos paguajnë më shumë se 30 milionë euro kesh.
Mbetet për t’u parë përgjigja e londinezëve, ndërkohë që vetë Inzaghi vijon të këmbëngulë për Alvaro Moratën, sulmues me eksperiencë, që e njeh mirë kampionatin, por nuk preferohet nga drejtuesit e Interit për shkak të moshës dhe vlerësimit të lartë që i bën Atletico Madrid.
Ndërkohë vijon të ‘nxehet’ pista Beto, me portugezin e Udineses që është ndoshta profili më i lehtë për t’u arritur, pasi mund t’i bashkohet Interit për maksimumi 20 milionë euro, është vetëm 25 vjeç dhe ka luajtur dy sezone në Serinë A.