Ballkani i ka nxjerrë në shitje sot biletat për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Konferencës.
Skuadra nga Theranda do të luajë në rrethin e tretë kualifikues të kësaj gare dhe përballë do ta ketë ekipin Lincoln Red Imps.
Therandasit përmes faqes së tyre zyrtare në Facebook kanë njoftuar se biletat do të dalin në shitje sot te zyra e klubit në stadiumin e qytetit në Therandë nga ora 13:00 deri në orën 22:00.
Në këtë interval kohor, biletat do të shiten edhe nesër, kurse në ditën e ndeshjes deri në orën 17:00.
Ballkani do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përkundër gjendjes së rënduar dhe aspak të lakmueshme të fushës së blertë.
Ndeshja mes Ballkanit dhe Lincolnit do të luhet të enjten duke filluar nga ora 20:45.
Ekipi Portokalli është i vetmi nga Kosova që ka mbetur ende në garat evropiane, ndërsa më parë u eliminuan Gjilani, Drita e Dukagjini, të cilët garuan po ashtu në Ligën e Konferencës.