Lautaro Martinez nuk do të jetë i gatshëm për Interin në dy ndeshjet miqësore që zikaltërit do të luajnë para fillimit të kampionatit.
Nënkampionët e Europës luajnë sot një miqësore me Salcburgun dhe sulmuesi argjentinas është lënë pushim nga stafi teknik.
Shkak për këtë është bërë një problem muskulor i sulmuesit dhe për të mos e rrezikuar më shumë, është vendosur që të mos aktivizohet në ndeshje. Gjithashtu, Lautaro do të mungojë edhe në ndeshjen e fundit të Interit në përgatitore, atë të së shtunës ndaj Egnatias.
Në ndeshjen e planifikuar të luhet në Ferrara, Inzagi duhet të bëjë pa sulmuesin dhe do të ketë të gatshëm Turam, Korrean e Espositon. Ndërkohë, një tjetër mungesë është ajo e Açerbit, i cili rrezikon edhe javën e parë të kampionatit.