Tashmë është zyrtare, Frank Kessie është lojtari më i ri i Al Ahlit.
Duket se këmbëngulja e klubit saudit më në fund i dha frytet, teksa operacioni i transferimit të mesfushorit nga Bregu i Fildishtë është mbyllur me 12.5 milionë euro.
Asnjë skuadër nga Premier League dhe Seria A nuk arriti të bënte një ofertë të kënaqshme për Barcelonën, e cila edhe pse donte ta hiqte qafe lojtarin, pasi nuk ishte pjesë e planeve të Xavit, as nuk kishte ndërmend ta lejonte largimin si i lirë.
“FC Barcelona dhe Al-Ahli kanë arritur marrëveshje për transferimin e Frank Kessie për 12.5 milionë euro”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Barcelonës.
Mesfushori iu bashkua Barcelonës në verën e vitit të kaluar, kur u transferua si futbollist i lirë. Ai ka zhvilluar 43 paraqitje në edicionin debutues për Barçën, duke rezuluar 3 gola dhe 3 asiste.
Në klubin e tij të ri futbollisti nga Bregu i Fildishtë do të fitojë dyfishin e asaj që mori te Barça. Operacioni i kënaq të gjitha palët.