Lucas Paqueta është i gatshëm ta bëjë hapin e radhës në karrierë.
Mesfushori brazilian është bërë objektiv i Manchester Cityt pas paraqitjeve të mira që i bëri me West Ham Unitedin.
Sipas mediave britanike, bisedimet mes klubeve kanë nisur pasi lojtari e dha dritën e gjelbër të dëshirës për t’iu bashkuar kampionëve të Anglisë dhe të Evropës.
Përfaqësuesi brazilian, i cili në të kaluarën ishte pjesë e Milanit dhe e Lyonit, dëshiron të përfundojë në “Etihad Stadium”, ku do ta kishte mundësinë të rritej si futbollist dhe të fitojë trofe të rëndësishëm.
West Hami thuhet se e ka refuzuar ofertën e parë të “Citizens” prej 80 milionë eurosh për mesfushorin luftarak, por kampionët do të insistojnë derisa ta bëjnë të vetin lojtarin.
Trajneri Pep Guardiola është admirues i lojës së Paquetas dhe e do me ngulm atë në ekipin e tij për edicionin 2023/24.