Skuadra e Ballkanit të Therandës, kampion në fuqi, ka shënuar fitore me rezultat 2:0 ndaj Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Conference League në futboll.
Një atmosferë e bukur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, një Ballkan që ka treguar forcën në pjesën e dytë.
Goli i Lorenc Trashit gjatë do të mbetet në kujtesë të adhuruesve të futbollit.
Një pjesë e parë pa gola por në të dytën vendasit shënuan dy herë.
Futbollisti Meriton Korenica me një veprim të shkëlqyeshëm, nga afërsia ka realizuar për 1:0 në minutën e 59-të.
Pas tre minutave Lorenc Trashi ka ngritur në këmbë gjithë të pranishmit në “Fadil Vokrri”.
Ai me të parën e pa rënë topin në tokë godet nga rreth 17 metra duke shënuar eurogol në këndin e epërm të djathtë, ndërsa portieri i skuadrës nga Gjibraltarit, Coleing, as që kishte fuqi të intervenojë.
Fitore e madhe e djelmoshave të trajnerit Ilir Daja, të cilët me qetësi e presin takimin e kthimit në Gjibraltar dhe janë shumë afër garave të play -Off-it..