Kush kishte dyshime që Erling Haland do të ulte ritmin në vitin e tij të dytë në Angli, është gabuar plotësisht. Norvegjezi e ka nisur edhe këtë edicion shumë i uritur për të tundur rrjetën dhe e ka treguar që në ndeshjen e parë të Manchester Cityt ndaj Burnleyt, duke vendosur një rekord të ri.
Sulmuesi norvegjez shënoi dy gola në pjesën e parë të ndeshjes, duke tundur rrjetën në minutën e 4-t dhe të 36-të për skuadrën e tij, në atë që ishte sfida e parë e kampionatit për këtë edicion.
Në këtë mënyrë, ai vendosi një tjetër rekord.
Që nga koha kur kampionati u transformua në Premier Ligë, në vitin 1992, Haland u bë lojtari i parë në histori që shënon golin e parë dhe të dytë të një edicioni.
Një tjetër rekord që i shtohet listës së gjatë të atyre që ka vendosur ai thuajse ndeshje pas ndeshje në edicionin e kaluar me Mançester Sitin, të cilin e mbylli si golashënuesi më i mirë i kampionatit.