Sulmuesi Egzon Aziri do të mungojë në ndeshjen e sotme kundër Ohridit për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e barazhit ndaj Vëllazërimit të Kërçovës, e luajtur në Tetovë.
Përveç tij te Bashkimi në ndeshjen e parë të ligës së dytë që do të zhvillohet sot në Kumanovë do të mungojë edhe Ekrem Memedi po për kartonin e kuq, të marrë në kohën kur luante te Osogova, kurse mbrojtësi Aziz Ahmeti mungon për shkak të lëdimit.
Edhe përkundër këtyre mungesave, trajneri Florim Ymeri është optimist.
“Na pret një ndeshje e vështirë me Ohridin, pasi është fillimi i kampionatit, pastaj kemi tre mungesa kyçe në ekip me mosluajtjen e Azirit, Memedit dhe Ahmetit, por megjithatë shpresoj që lojtarët të luajnë qetë dhe pa presion. Ohridi është ekip stabil në Ligën e dytë, ka disa vite që luajnë së bashku, por unë shpresoj se me ndihmën e publikut tonë të zjarrtë, me mbështetjen e Ilirëve, do t’ia arrijmë qëllimit-të fitojmë tre pikë”, deklaroi trajneri Ymeri.
Ndeshja Bashkimi-Ohrid do të luhet sot (e shtunë, ora 17:00) në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë.