Prishtina ka startuar furishëm në hapje të edicionit të ri në elitën e futbollit të Kosovës.
Bardhekaltrit shënuan fitore bindëse me rezultat 3:1 ndaj Feronikelit 74 nga Drenasi, në takimin që u zhvillua në kampin nacional në Hajvali, para një numri të konsiderueshëm.
Në minutën e 28-të, Feronikeli 74 mbetet pa një lojtar, pasi që Behar Maliqi u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme.
Kjo i kushtoi shtrenjtë mysafirëve, ndërsa Prishtina e kapitalizoi mirë këtë epërsi numerike.
Në minutën e 34-të, Egzon Sinani shënoi gol të bukur me kokë pas një harkimi nga rivënia e këndit.
Hasan Hyseni në minutën e 61-të realizon nga vija e 16-shit dhe Jalen Blesa (me kokë) në atë të 69-tën, shënuan për epërsinë 3:0.
Fiton Hajdari ngushton humbjen në 3:1 në minutën e 85-të.
Në javën e ardhshme Prishtina do të luajë në konak të Gjilanit dhe Feronikeli 74 i shkon Ballkanit në Therandë.