Prishtina e ka nisur mbarë sezonin e ri në Albi Mall Superligë, pasi ka mposhtur Feronikelin ’74 me rezultat 3-1.
Në ndeshjen e zhvilluar në kampin nacional në Hajvali, kryeqytetasit kanë dominuar me lojë duke realizuar edhe gola të bukur.
Por ajo që bie në sy në këtë ndeshje, ishte edhe shkëlqimi i transferimeve të reja të Prishtinës.
Nga minuta e parë e nisën ndeshjen transferimet e reja si Albin Krasniqi, Drilon Islami, Egzon Sinani e Ardian Muja, derisa më vonë u inkuadrua edhe Albion Kurtaj.
Albin Krasniqi ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë duel, duke qenë më i miri në fushë.
Mesfushori kaçanikas asistoi te goli i parë, derisa qëlloi një shtyllë dhe krijoi thuajse të gjitha aksionet e kryeqytetasve.
Me gol në këtë sfidë debutoi edhe qendërmbrojtësi Egzon Sinani, derisa u dallua edhe në repartin defensivë.
Ndeshje shumë të mirë zhvilluan edhe dy titullarët tjerë Ardian Muja dhe Drilon Islami, por edhe Albion Kurtaj i inkuadruar nga banka rezervë.