Skuadra e Valmieras, rivale e Partizanit në Ligën e Konferencës, nuk do të vijë në formën më të mirë të mundshme në Shqipëri për sfidën e kthimit ndaj të kuqve.
Dy skuadrat përballen të enjten në “Elbasan Arena” me Partizanin që ka avantazhin e fitores 2-1 të sfidës së parë, por edhe të formës jo të mirë të kundërshtarit.
Sot, Valmiera u ndal përsëri në kampionat, duke zbritur në vendin e katërt në renditje, jashtë zonës së Europës. Ajo barazoi me shifrat 2-2 ndaj Jelgava, me pjesën e dytë që u bë përsëri faktor i këtij rezultati, ashtu siç i ndodhi në ndeshjen ndaj të kuqve.
Valmiera shënoi në pjesën e parë me mbrojtësin Sliede dhe në të dytën dyfishoi shifrat me mbrojtësin tjetër Velps kur regjistrohej minuta e 61-të.
Por vetëm një minutë më vonë miqtë shkurtuan diferencën dhe me golin e Nakamura në minutën e 79, ia dolën të siguronin një barazim nga kjo ndeshje.