Klubi brazilian Vasco da Gama ka njoftuar ardhjen e mesfushorit sulmues francez Dimitri Payet në një transferim të lirë, me ish-lojtarin e Marsejës qe iu dorëzua edhe fanella me numrin 10.
36-vjeçari ka bërë lëvizjen në Rio de Janeiro pasi u largua nga Marseille një vit përpara se kontrata e tij të skadonte, në fund të sezonit të kaluar.
Ish-reprezentuesi francez kaloi tetë sezone me klubin në dy periudha, duke bërë gjithsej 326 paraqitje gjatë të cilave ai shënoi 78 gola dhe regjistroi 95 asistime.
Ai e drejtoi skuadrën në finalen e Europa League në 2018 dhe shënoi 16 gola në të gjitha garat në sezonin 2021/22. Megjithatë, vitin e kaluar, koha e tij e lojës ishte zvogëluar në mënyrë drastike nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm Igor Tudor.
Vasco da Gama tregon se ish-lojtari i Nantes, Saint-Étienne dhe Lille do të shkojë në Brazil në ditët në vijim në mënyrë që t’i nënshtrohet testeve mjekësore dhe të vendosë stilolapsin në letër për një kontratë me klubin e tij të ri.