Interi e ka zgjedhur kapiten, por nuk ësh të ky shkaku i vetëm për të cilin përgjegjësitë e argjentinasit në skuadër janë shtuar. Që prej zbarkimit në Milano pesë vite më parë,
25- vjeçari ka qenë gjithmonë duke ngjitur shkallët e hierarkisë në skuadër dhe në sezonet e fundit ka qenë padyshim një nga pikat më të forta të Interit.
Sulmuesi ka përmirësuar vit pas viti rekordin e golave të tij, edhe pse në tri vitet e fundit ka ndryshuar disa herë shokët e repartit. Në 2020-2021 krah Lautaros ishte Lukaku, në atë pasardhësin ishin Xheko e Sançez, ndërkohë që në atë të shkuarin njëri mes Lukakut dhe Xhekos ka qenë gjithmonë krah tij. Kushdo që ka sulmuesi tjetër i Interit, ka ditur gjithmonë të kontribuojë dhe të përshtatet, por sot “demi” e gjen veten pa asnjë prej “të njohurve” të tij, përveç Korreas që nuk parashikohet të jetë titullar.
Reparti ofensiv i zikaltërve përbëhet aktualisht nga Lautaro, Turam e Korrea dhe pritet të kompletohet me mbërritjen e Arnautoviçit, por nga ajo që është parë deri më tani në këtë fazë përgatitore, pesha e sulmit rrezikon të jetë e gjitha në shpatullat e Lautaros. Argjentinasi jo vetëm që shënon, por është ai që nxjerr skuadrën para dhe zë hapësirën më të madhe në zonë.
Sigurisht që nëse në pah del rendimenti dhe cilësia e Lautaros, “i gjykuari” në krahun tjetër është Markus Turam.
Edhe pse është ende herët për të kryqëzuar francezin që mbërriti gjatë kësaj vere, ajo që ka treguar në miqësore nuk e favorizon atë. 26-vjeçari ka klas dhe një prekje topi si pak të tjerë, por jep maksimumin kur pozicionohet larg portës.
Goditjet e tij ndaj Egnatias kanë qenë për t’u harruar, ashtu siç kanë qenë gjatë të gjitha miqësoreve në të cilat ka qenë titullar i padiskutueshëm.
Shumë ndoshta kanë qarë “plakushin” Xheko kur kanë parë performancën e Turamit, që edhe pse duket se i nevojitet kohë për t’u përshtatur nuk flet ende gjuhën e Lautaros. Kapiteni është jetik, por nëse do të jetë i vetëm.