Shakhtar Donetsk fitoi titullin kampion në edicionin e fundit në Ukrainë, që ishte i 14-ti në historinë e klubit.
Skuadra e drejtuar nga holandezi Patrick van Leeuwen, do të garojë në grupet e Champions League.
Dhe takimet shtëpiake do t’i zhvillojë në Gjermani.
Me anë të një komunikate zyrtare, Shakhtari njofton se do të luajë në stadiumin “Volksparkstadion”. “Fortesa” e skuadrës së Hamburgut që garon në Bundesliga 2.
Drejtuesit e klubit nga Donetsku kanë arritur akordin me homologët e Hamburgut. Dhe UEFA ka dhënë leje që kampionët e Ukrainës të zhvendosen në Gjermani, pasi për shkak të luftës me Rusinë nuk mund të luajnë në shtëpi.
“Ne jemi shumë të lumtur që mbështetim Shakhtarin. Për sa i përket infrastrukturës dhe organizimit, ne mund t’i ofrojmë Shakhtarit njohuritë dhe përvojën e nevojshme për Champions League”, tha Eric Heuer, anëtar i bordit të klubit gjerman.
Stadiumi “Volksparkstadion” ka një kapacitet prej 51.500 tifozësh. Kujtojmë se sezonin e kaluar Shakhtari i luajti ndeshjet europiane në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë.