Pas Buduçnostit të Malit të Zi, Struga eliminoi edhe Hesperange, ekipin nga Luksemburgu.
Dhe tashmë e sheh veten në “play-off” të Conference League.
Raund ku do të ndeshet me Breidalbik nga Islanda.
Kapiteni i kampionëve të Maqedonisë së Veriut, Flamur Tairi u shfaq përkrah trajneri Shpëtim Duro në prononcimin për shtypin, ku ndër të tjera tha:
“Unë jam pjesë e Struga Trim Lum që nga fillimet e saja, dhe vit për vit kemi arritur suksese të njëpasnjëshme. Jam shumë i emocionuar për kualifikimin në ‘play-off’, është një arritje historike për ne.
Shpresojmë të vazhdojmë akoma me suksese të njëpasnjëshme dhe pse jo të kualifikohemi edhe në grupet e Conference League.
Për këtë arritje dua të falënderoj të gjithë futbollistët, pasi kanë treguar një shpirt gare ta paparë, kanë sakrifikuar që të gjithë.
Edhe ata që luajtën nga minuta e parë, edhe atë që u inkuadruan në lojë nga stoli, kanë treguar entuziazëm dhe një përgatitje të jashtëzakonshme. I falënderoj të gjithë”, përfundoi Tairi.