Kuqezinjtë të dielën në Kavadar përballë Tikveshit luajnë duelin e xhiros së tretë në sezonin e ri në elitën e futbollit maqedonas.
Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen e dytë të sezonit të ri në xhiron e tretë, pasi dueli i fundjavës së shkuar me Strugën u shty shkaku i paraqitjeve evropiane të ekipit strugan.
"Tikveshi i Kavadarit është rival i kuqezinjëve në një duel ku synojmë të vazhdojmë atë që nisëm dy javë më parë në Ohër kur hapëm sezonin me fitore (1:0) ndaj Voska Sport.
Mungesën e ndeshjes fundjavën e shkuar e kompensuam me miqësore me Dinamon e Ferizajit (2:0) dhe gjatë këtyre ditëve kemi punuar për të qenë në lartësinë e duhur në takimin e nesërm në Kavadar.
Tikveshi ka start të shkëlqyeshëm të sezonit të ri dhe me dy fitore në dy ndeshje renditet në vendin e parë me 6 pikë maksimale. Fitores 1:0 ndaj Makedonija Gj.P. në xhiron e parë javën e shkuar i shtuan triumf 3:0 në fushë të Gostivarit dhe pas dy sfidave të para kanë goldiferencë 4-0.
Ennur Totre kthehet në formacion pasi humbi sfidën me Voskën shkaku i lëndimit. Mesfushori ka punuar intenzivisht dhe duke luajtur edhe miqësoren me Dinamo Ferizajin tashmë është 100% i gatshëm për lojë.
Shqetësime të lehta në stërvitjen e sotme ka ndjerë Bruno Dita, i cili mbetet të shihet si do të jetë fizikisht nesër para ndeshjes. Lojtarët tjerë janë gati, pa llogaritur Florent Ramadanin dhe Zija Merxhanin që janë jashta kombinimit shkaku i dëmtimeve", njofton FC Shkëndija.
Përballja Tikveshi - Shkëndija zhvillohet të dielën me fillim në orën 17:00 në stadiumin e qytetit në Kavadar.