“Ka një marrëveshje nga të dyja palët, nuk është vetëm klubi”.
Mauricio Pochettino rikthehet të flasë për Romelu Lukakun, sulmuesin belg në pronësi të Chelsea, por që mbetet “i huaj” për blutë.
Ai stërvitet i vetëm në qendrën sportive “Cobham”, larg ekipit të parë. Nuk po konsiderohet për një rikthim as tani që Chelsea ka nevojë për sulmues, në pritje të rikuperimit të Armando Brojës, nga i cili Pochettino nuk ka ndërmend të heqë dorë.
“Situata e Lukakut nuk është zgjedhja e vetëm njërës pale, – shpjegon Pochettino. – Situata është ajo që është, sipas zgjedhjes së të dyja palëve. Nuk është vetëm një vendim i klubit, ka një marrëveshje në të cilën të dyja palët kanë arritur. Si trajner isha informuar për situatën e secilit lojtar, para se të nënshkruaja me Chelsea.
Edhe ai ishte shumë i qartë. Është e qartë se asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse do të ketë ndonjë ndryshim, do t’ju komunikohet. Nuk mund të merrem më me këtë çështje, të shpenzoj energji të kota. Duhet të fokusohem te skuadra që kam, po përpiqem ta përmirësoj. Nuk mund të harxhoj energji për një situatë që ishte e qartë para ardhjes sime”.
Situata e qartë është se Lukaku nuk dëshiron t’ia dijë më për Chelsea. Dhe anasjelltas, Chelsea nuk dëshiron të dijë më për Lukakun. Sulmuesi nuk ka folur kurrë me Pochettino. Ai u shfaq në “Cobham” për të filluar stërvitjen në mesin e korrikut, kur skuadra ishte nisur tashmë për në turneun e SHBA dhe vazhdon të punojë veçmas, duke pritur që merkatoja të zgjidhë situatën e tij.
Megjithatë, një nga opsionet e pakta të mbetura, gjurma arabe, duket se është ftohur. Al-Hilal, klubi që ishte përpjekur prej kohësh ta bindte “Big Rom” të luante në Ligën Saudite dhe që kishte gjetur një marrëveshje me Chelsea për 47 milionë euro, nuk mund ta priste më belgun.
Dje mbylli blerjen e një tjetër qendërsulmuesi, Aleksandar Mitrovic, të cilin e rrëmbeu zyrtarisht nga Fulham për 47 milionë euro. Nuk ka gjasa që klubi saudit, që mori edhe Koulibaly, të kthehet për Lukakun. Belgu duhet vetëm të presë dhe vazhdojë stërvitjen i vetëm në “Cobham”, larg ekipit të parë dhe Pochettino.