Carlo Ancelotti ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Celta Vigo, e vlefshme për javën e tretë të La Liga-s. Trajneri italian komentoi fillimisht për rastin “Rubiales”:
“Është një çështje delikate. Nuk më pëlqeu kjo sjellje. Nuk është diçka që një president duhet ta bëjë”.
Modric i pakënaqur dhe portieri titullar – “Nesër do të luajë Kepa. Është një situatë e pazakontë për Modric. Nuk është i lumtur por ndihet mirë, do ta japë kontributin e tij. Është një situatë e veçantë për të gjithë”.
Shitja e Gabri Veiga në Arabinë Saudite – “Është e qartë se futbolli arab ofron më shumë para se futbolli evropian.
Të gjithë mund të bëjnë çfarë të duan. Autoritetet ndërkombëtare të futbollit duhet të vlerësojnë me kujdes çështjen për të balancuar tregun”.
Merkatoja e mbyllur – “Po, e përjashtoj 100% nënshkrimin e ndonjë lojtari tjetër. Nuk do të ketë asnjë transferim, të gjithë jemi të fokusuar te sezoni që ka nisur tashmë”.
Jude Bellingham pas Rodrygo dhe Vinicius – “Unë mendoj se Bellingham në Dortmund tregoi se sa i rrezikshëm është duke luajtur më i avancuar.
Ai mund të kishte luajtur si mesfushor i brendshëm, por është një lojtar shumë inteligjent, që lëviz shumë mirë pa top.
Rodrygo nuk ka probleme, ka luajtur si qendërsulmues dhe është mësuar me këtë. Vinícius po përshtatet shumë mirë, pati shumë raste dhe shënoi gol. Nuk e detyroj të luajë më shumë brenda, ai ka cilësinë dhe inteligjencën për të vendosur se ku mund të jetë i rrezikshëm. Duke thënë këtë, mendoj se të luash brenda zonës është më e lehtë të krijosh raste, mund të shënosh me një prekje, ndërsa nuk mund ta bësh nga jashtë. Unë kisha një lojtar që shënoi 300 gola, nga të cilët 200 me një prekje: Filippo Inzaghi”.