Real Madrid u nda këtë verë pas shumë vitesh me Karim Benzema.
Pritej që “Los Blancos” të ndërhynin në sulm pas lamtumirës së francezit, megjithatë deri në këtë moment spanjollët nuk e kanë bërë dhe trajneri Carlo Ancelotti në një intervistë të fundit bën të ditur se zëvendësuesi i Benzema në fakt ka mbërritur dhe është pjesë e 11-tëshes titullare.
“Ne te Reali besojmë shumë se Jude Bellingham është i zoti për të mbuluar mungesën e Benzema.
Bellingham është një lojtar shumë i pjekur dhe ajo çfarë bën në fushë ne nuk na surprizon aspak.
E njohim mirë sepse e shohim në stërvitje, për t’u habitur është fakti që ai është vetëm 20-vjeç”, u shpreh Ancelotti.
Në këto dy javë të para të kampionatit, Bellingham ka shkëlqyer duke shënuar tre gola ndërsa në llogarinë e tij është edhe një asist. Direktivat e Ancelottit për talentin britanik janë të qarta dhe sa herë skuadra sulmon në krah, Bellingham depërton në zonën kundërshtare ku shfrytëzon më së miri aftësitë e tij realizative.