Trajneri i Astanës, Grigori Babajan, është shfaqur i zhgënjyer pas sfidës që skuadra e tij fitoi 1-0 ndaj Partizanit në Ligën e Konferencës.
Duket se kazakët shpresonin për një fitore të thellë në ndeshjen e parë dhe tekniku e konfirmoi një gjë të tillë duke folur para mediave.
“Që nga minuta e parë, djemtë vendosën një ritëm të lartë dhe bënë presing.
Në pjesën e dytë, ata vazhduan me presingun ndaj kundërshtarit.
Është e qartë që ky është një lloj futbolli intensiv në shpenzimin e energjive dhe rreth minutës së 70, ata filluan të binin dhe kundërshtari kishte disa shanse.
Ka zhgënjim për shkak të shumë rasteve të humbura dhe për golat që u anuluan.
Nëse sot nuk do të kishte sistem VAR, atëherë të paktën një nga golat do të ishte cilësuar i rregullt, pasi këto janë situata shumë të vështira.
Por meqë ata nuk u llogaritën, atëherë nuk ka asnjë arsye që të flasim rreth tyre”, tha Babajan pas sfidës.