Ekspedita e Struga Trim Lum ka arritur në Islandë, aty ku të enjten do të zhvillojë një ndër ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni, atë të kthimit të fazës “play-off” në kuadër të Ligës së Konferencës në futboll.
“Përballë do të kemi ekipin e Breidablik, ndaj së cilës skuadër në ndeshjen e parë në Ohër nuk arritëm të nxjerrim më të mirën, duke pësuar në fund disfatë minimale 1:0.
Megjithatë duke pasur parasysh karakterin e skuadrës dhe ndeshjet e deritanishme si mysafir në Europë, shpresojmë të bëjmë mrrekullinë edhe këtë herë dhe të shkruajmë historinë më të lavdishme të klubit.
Ekipi ynë mesditën e djeshme nga Struga u nis për në Tiranë, që më pas nga aeroporti i Rinasit të fluturojmë drejt Cyrihut. Në qytetin e bukur zviceran ekipi qëndroi një natë, ndërsa mëngjesin e sotëm përmes linjës Cyrih-Rejkjavik, zbarkuam në Islandë.
Tashmë ekipi nga aeroporti i Rejkjavik ka udhëtuar drejt hotelit, ku sa jemi akomoduar. Me fillim në ora 18:45 lojtarët tanë do të zbresin për herë të parë në fushën e stadiumit Kópavogsvöllur në Kópavogur, aty ku edhe do të zhvillojmë ndeshjen kundër Breidablik, derisa 15 minuta më herët (18:30) në Konferencën e zakonshme për shtyp do të dalë trajneri Shpëtim Duro”, njofton FC Struga Trim Lum.
Ndeshja Breidablik – Struga Trim Lum do të zhvillohet të enjten me fillim në ora 18:45 në stadiumin Kopavogsvöllur, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitër gjerman, me në krye Daniel Schlager.
Dy asistentët e tij do të jenë Lasse Koslowski dhe Sven Waschitzki, derisa arbitër i katërt do të jetë Patrick Ittrich. Edhe në VAR do të qëndrojnë arbitër gjerman, me Sascha Stegemann si kryesori, derisa asistent do të ketë Katrin Rafalski.