E përditshmja spanjolle “Marca” ka zbuluar sot se sulmuesi 23-vjeçar portugez Joao Felix do të lërë Atletico Madrid për t’u transferuar te Barcelona. Transferimi do të zyrtarizohet pasditen e sotme.
Dy klubet kanë arritur marrëveshjen për huazimin e lojtarit për një vit, me të drejtë blerje verën e ardhshme.
Joao Felix plotëson kështu dëshirën e tij, teksa një muaj më parë pat thënë se ëndrra e tij është të luajë me skuadrën katalanase. Kjo krijoi mjaft pakënaqësi tek Atletico, që e la lojtarin me ekipin e të rinjve. Por tashmë telenovela erdhi në fund dhe portugezi do të shkojë te skuadra e zemrës.
Ky transferim mundësohet edhe pas largimit të Ansu Fati, që do të luajë me Brighton në Premier League.
Te skuadra e Barcelonës po nxitojnë me plotësimin e dokumentacionit, për ta federuar lojtarin brenda limiteve financiare të lejuara. Barcelona do të paguajë 8 milionë për këtë huazim si dhe rrogën e lojtarit.