Joao Félix (23 vjeç) u prezantua këtë të shtunë si lojtar i ri i Barçës.
Sulmuesi portugez e bëri të qartë se ardhja e tij në klubin blaugrana ishte një “ëndërr e fëmijërisë”, teksa konfirmoi huazimin deri në fund të sezonit te kampionët e La Liga-s.
I shoqëruar nga presidenti Joan Laporta, sulmuesi ishte shumë i emocionuar për bashkimin me Barçën dhe theksoi se qëllimi i tij kryesor është fitimi i Champions League: “Të gjithë e dinë se sa i lumtur jam.
Unë kam punuar për të qenë në këtë klub. E kam pasur ëndërr qysh fëmijë. Kam ardhur këtu për të ndihmuar Barcelonën dhe shpresoj se do të jetë një sezon i mrekullueshëm. Është diçka unike, që po e kërkoja prej një kohe të gjatë.
Kur më treguan për interesimin u gëzova shumë.
E kam parë Barçën që kur isha fëmijë, gjithmonë kemi qenë si familje tifozë të kësaj skuadre.
E kishim atë ëndërr dhe ja ku jam. Synimi janë titujt, Liga e Kampionëve ka qenë gjithmonë trofeu i ëndrrave të mia, por le të ecim pak nga pak. Do të përpiqemi ta fitojmë atë".