Shkëndija e Tetovës ka barazuar pa gola (0:0) me Shkupin në duelin e zhvilluar në Tetovë në kuadër të xhiros së 6-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Kuqezinjtë në pjesën e dytë shkuan pranë golit të fitores me Maksimovin dhe Çonarin, mirëpo në fund duhej të kënaqemi me barazim 0:0.
“Mendoj se kjo ndeshje e arsyetoi epitetin derbi. Ishte një pjesë e parë e luftuar shumë nga të dyja skuadrat.
Mendoj se në pjesën e parë ishim të barabartë, ndërsa në pjesën e dytë ishim më lartë se kundërshtari, e donim më tepër fitoren, por thjesht nuk arritëm të realizonim nga rastet që i krijuam.
Patjetër se më vjen keq që nuk dolëm me tre pikë sepse luftuam shumë dhe krijuam raste për të fituar përballë një kundërshtari që realisht e shofim pretendent dhe do të luftojmë deri në fund me ta.
Por më pëlqen grinta e skuadrës, dëshira për ta fituar ndeshjen, ishim agresiv dhe pjesën e dytë nuk kemi lejuar hapsira për kundërshtarin. Ishte mungesë përqendrimi, e di se lojtarët që kishin rastet donin të shënonin më shumë se çdo kush tjetër, por jo gjithmonë do të realizojmë nga rastet e krijuara”, tha Nuhiu.